Lidhje me Tor-in

Kur niset OnionShare-i, do t’ju shfaqë një skenë ku ju kërkon të bëni lidhjen me rrjetin Tor.

_images/autoconnect-welcome-screen.png

Mund të zgjidhni “Lidhu automatikisht me Tor-in”, para se të klikoni mbi “Lidhu me Tor-in”. Kjo do të thotë se herës tjetër që niset OnionShare-i, do të lidhet automatikisht, sipas rregullimeve të veta për lidhjen me Tor-in që nga sesioni i fundit, në vend se t’ju paraqesë prapë mundësi rreth lidhjes. Nëse lidhja dështon, mundeni prapë të provoni ura, ose të riformësoni Tor-in përmes butonit “Rregullime Rrjeti”.

Që të fillojë procesi i lidhjes, mund të klikoni mbi t “Lidhu me Tor-in”. Nëse s’ka probleme me rrjetin tuaj, përfshi çfarëdo përpjekjesh për t’ju bllokuar hyrjen në rrjetin Tor, kjo shpresohet të funksionojë që herën e parë.

Ose, nëse doni të formësoni dorazi Ura, apo rregullime të tjera Tor-i, para se të lidhet, mund të klikoni mbi “Rregullime Rrjeti”.

Anashkalim i automatizuar i censurimit

Kur klikoni “Lidhu me Tor-in”, nëse OnionShare s’arrin të lidhet, mund të jetë ngaqë Tor-i censurohet në vendin tuaj, ose në rrjetin tuaj vendor.

Nëse ndodh kjo, do të keni këto mundësi:

  • Riprovo pa urë

  • Për rregullimet e urës, përcakto automatikisht vendin tim nga adresa ime IP

  • Të përzgjedh dorazi vendin tim për rregullime e urës

_images/autoconnect-failed-to-connect.png

Nëse zgjidhni mundësinë “Riprovo pa urë”, OnionShare do të riprovojë të lidhet me Tor-in, si normalisht, pa u përpjekur të anashkalojë censurim.

Me dy mundësitë e tjera do të provohet të anashkalohet automatikisht censurimi duke përdorur ura Tor. Nëse shërbimi juaj internet bllokon hyrjen në rrjetin Tor, ka shpresa se prapë mund të lidheni te një urë To, e cila mandej do t’ju lidhë me rrjetin Tor, duke anashkaluar kështu censurimin. Që të dyja këto mundësi përdorin API-in e Projektit Tor për Anashkalim Censurimi, për t’ju dhënë rregullime urash që duhet të funksionojnë për ju. OnionShare do të përdorë përkohësisht ndërmjetësin “domain-fronting” Meek për të bërë një lidhje jo Tor, nga kompjuteri juaj te API e Projektit Tor për Anashkalim Censurimi. Ndërmjetësi Meek fsheh faktin se po provoni të gjeni një mënyrë për t’u lidhur me Tor-in.

Nëse zgjidhni “Për rregullime urash, përcakto automatikisht vendin tim që nga adresa ime IP», APi për Anashkalim Censurimi do të marrë parasysh adresën tuaj API (po, adresën tuaj të njëmendtë IP) për të përcaktuar se në cilin vend mund të gjendeni. Bazuar në informacionin rreth vendit, API do të provojë të gjejë automatikisht ura që i përshtaten vendndodhjes tuaj.

_images/autoconnect-trying-to-resolve-connectivity-issues.png

Nëse zgjidhni “Të përzgjedh dorazi vendin tim për rregullime e urës”, API për Anashkalimin e Censurimit do të gjejë ura që i përshtaten vendit që treguat.

_images/autoconnect-select-country.png

Si funksionon dhe anashkalim i automatizuar i censurimit

Nëse API për Anashkalim Censurimi gjen ura që beson se do t’ju bëjnë punë, OnionShare do të provojë të rilidhet me Tor-in duke përdorur këto ura. Nëse API s’gjen ndonjë urë për vendndodhjen tuaj, OnionShare do t’i kërkojë API-t mundësi “rrugëdalje” dhe mandej do të provojë të rilidhet duke përdorur të tilla.

Nëse për një arsye a një tjetër OnionShare s’arrin të lidhet me vetë API-n për Anashkalim Censurimi, ose API përgjigjet me një mesazh gabimi, OnionShare do të përpiqet të përdorë ura obfs4 të brendshme.

Është e rëndësishme të vihet re se kërkesat ndaj API-t të Anashkalimit të Censurimit nuk bëhen përmes rrjetit Tor (ngaqë po të mundnit të lidheshit me Tor, s’do t’ju hynte në punë të lidheshit me API-n).

Edhe pse është e vështirë që një kundërshtar të zbulojë se ku shkon kërkesa Meek, kjo mund të jetë me rrezik për disa përdorues. Ndaj, është një veçori në dëshirë të përdoruesit. Përdorimi i Meek-ut dhe kërkesave ndaj rrjetit jo përmes Tor-it kufizohen vetëm me bërjen e një a dy kërkesash te API për Anashkalim Censurim. Pas kësaj, Meek-u ndalet dhe krejt kërkesat e mëtejshme ndaj rrjetit kryhen përmes rrjetit Tor.

Nëse s’jeni rehat me bërjen e një kërkesë që s’kalon nëpër rrjetin Tor, mund të klikoni “Rregullime Rrjeti” (ose ikonën e Rregullimeve, në fund djathtas të ekranit, e më pas mbi skedën “Rregullime Tor-i” në skenën që pason) dhe të formësoni dorazi ura. Pasi të ruani rregullimet për çfarëdo ure, OnionShare do të provojë të rilidhet duke përdorur këto ura.

Formësoni dorazi rregullimet e Tor-it

Te rregullimet e Tor-it mund të kaloni duke klikuar “Rregullime Rrjeti” te skena e mirëseardhjes, ose duke klikuar ikonën “⚙” te cepi i poshtëm djathtas i aplikacionit, mandej kaloni te skeda e Rregullimeve të Tor-it, në skenën që pason.

_images/tor-settings.png

Ja rrugët e ndryshme sipas të cilave mund të formësoni OnionShare-it të lidhet me Tor-in:

Përdorni versionin Tor të brendshëm të OnionShare-it

Kjo është parazgjedhja, rrufa më e thjeshtë dhe më e besueshme me të cilën OnionShare lidhet me Tor-in. Për këtë arsye, rekomandohet për shumicën e përdoruesve.

Kur hapni OnionShare-in, ky nis në prapaskenë një proces tor të formësuar tashmë që ta përdorë OnionShare-i. Nuk ngatërrohet me procese të tjerë tor në kompjuterin tuaj, kështu, mund të përdorni Shfletuesin Tor, ose sistemin tor, secilin më vete.

Përdorim urash

Që të përdorni një urë, duhet të përzgjidhni “Përdor versionin Tor të brendshëm të OnionShare-it” dhe t’i vini shenjë kutizës “Përdor një urë”.

Provoni të përdorni së pari një urë të brendshme. Rekomandohet përdorimi i urave obfs4 ose snowflake, në vend të përdorimit të një ure.

_images/tor-settings-bridges.png

Nëse përdorimi i një ure të brendshme s’funksionon, mund të kërkoni një urë që nga torproject.org. Do t’ju duhet të zgjidhni një CAPTCHA, që të mund të kërkoni një urë. (Kjo e bën më të vështirë për qeveri apo ISP të bllokojnë hyrjen te ura Tor.)

_images/tor-settings-moat.png

Keni gjithashtu mundësinë e përdorimit të një ure të cilën e mësuat nga një burim i besuar.

Provo vetë-formësim me Shfletuesin Tor

Nëse keni shkarkuar Shfletuesin Tor dhe s’doni të keni në punë dy procese tor, mund të përdorni procesin tor të Shfletuesit Tor. Që kjo të funksionojë, mos harroni se duhet të mbani hapur Shfletuesin Tor në prapaskenë, teksa përdorni OnionShare-in.

Përdorimi i një sistemit tor në Windows

Kjo është goxha e thelluar. Do t’ju duhet të dini të përpunoni kartela tekst të thjeshtë dhe të bëni gjëra përgjegjësi.

Shkarkoni “Tor Windows Expert Bundle” që nga sajti i Tor-it. Çngjesheni kartelën e ngjeshur dhe kopjoni dosjen e përftuar te C:\Program Files (x86)\ Riemërtojeni dosjen e përftuar si Data dhe Tor në të si tor-win32.

Sajoni një fjalëkalim porte kontrolli. (Përdorimi i 7 fjalëve në një varg të ngjashëm ngjeshur hasa ripërtypje punë hakmarrje konstrukt fluturake është një ide e mirë për një fjalëkalim.) Tani hapni një rresht urdhrash (cmd) si përgjegjës dhe përdorni tor.exe --hash-password që të prodhoni një hash të fjalëkalimit tuaj. Për shembull:

cd "C:\Program Files (x86)\tor-win32\Tor"
tor.exe --hash-password "comprised stumble rummage work avenging construct volatile"

Përfundimi për hashin e fjalëkalimit shfaqet pas disa sinjalizimesh (të cilat mund t’i shpërfillni). Në rastin e shembullit më sipër, ky është 16:00322E903D96DE986058BB9ABDA91E010D7A863768635AC38E213FDBEF.

Tani krijoni një kartelë tekst të re te C:\Program Files (x86)\tor-win32\torrc dhe vëreni përfundimin hash të fjalëkalimit në të, duke zëvendësuar HashedControlPassword me atë që sapo prodhuat:

ControlPort 9051
HashedControlPassword (the hash you generate from the password you picked above)

Te rreshti i urdhrave për përgjegjësin, instaloni tor si një shërbim, duke përdorur kartelën e duhur torrc që sapo krijuar (siç përshkruhet te https://2019.www.torproject.org/docs/faq.html.en#NTService). Kështu:

tor.exe --service install -options -f "C:\Program Files (x86)\tor-win32\torrc"

Tani po xhironi një proces sistemi tor në Windows!

Hapni OnionShare-in, klikoni ikonën “⚙” në të dhe kaloni te skeda Rregullime Tor-i. Nën “ Si duhet të lidhet me Tor-in OnionShare-i?», zgjidhni “Lidhu duke përdorur portë kontrolli” dhe si “Portë kontrolli” vini 127.0.0.1``dhe si “Portë” ``9051. Nën “Rregullime mirëfilltësimi Tor”, zgjidhni “Fjalëkalim” dhe si fjalëkalim vini fjalëkalimin për portë kontrolli që zgjodhët më sipër. Klikoni butonin “Provo Lidhjen me Tor-in”. Nëse gjithçka ecën mirë, duhet të shini “I lidhur me kontrollorin e Tor-it”.

Përdorimi i një sistemi tor në macOS

Së pari, instalon Homebrew, nëse s’e keni tashmë dhe mandej instaloni Tor-in:

brew install tor

Tani formësoni Tor-in të lejojë lidhje nga OnionShare:

mkdir -p /usr/local/var/run/tor
chmod 700 /usr/local/var/run/tor
echo 'SOCKSPort 9050' >> /usr/local/etc/tor/torrc
echo 'ControlPort unix:"/usr/local/var/run/tor/control.socket"' >> /usr/local/etc/tor/torrc

Dhe nisni shërbimin e sistemit Tor:

brew services start tor

Hapni OnionShare-in, klikoni mbi ikonën “⚙” në të dhe kaloni te skeda “Rregullime Tor-i”. Nën “Si duhet të lidhet me Tor-in OnionShare-i?” zgjidhni “Lidhu duke përdorur një kartelë “socket”” dhe si kartelë “socket” vini /usr/local/var/run/tor/control.socket. Nën “Rregullime mirëfilltësimi Tor” zgjidhni “Pa mirëfilltësim, ose mirëfilltësim me “cookie””. Klikoni mbi butonin “Provo Lidhjen me Tor-in”.

Nëse gjithçka shkon mbarë, do të duhej të shihnit “I lidhur me kontrollorin Tor”.

Përdorimi i një sistemi tor në Linux

Së pari, instaloni paketën tor. Nëse përdorni Debian, Ubuntu, ose një shpërndarje Linux të ngjashme, rekomandohet të përdoret depoja zyrtare e Projektit Tor official repository.

Më pas shtojeni përdoruesin tuaj te grupi që xhiron procesin tor (në rastin e Debian-it dhe Ubuntu-së, debian-tor) dhe formësojeni OnionShare-in të lidhet te kartela “socket” e kontrollit të sistemit tuaj tor.

Shtoni përdoruesin tuaj te grupi debian-tor duke ekzekutuar këtë urdhër (zëvendësoni username me emrin tuaj faktik të përdoruesit:

sudo usermod -a -G debian-tor username

Rinisni kompjuterin tuaj. Pasi të niset, hapni OnionShare-in, klikoni mbi ikonën “⚙” në të dhe kaloni te skeda Rregullime Tor-i. Nën “Si duhet të lidhet me Tor-in OnionShare-i?” zgjidhni “Lidhu duke përdorur një kartelë “socket””. Si kartelë “socket” vini /var/run/tor/control. Nën “Regullime mirëfilltësimi Tor” zgjidhni “Pa mirëfilltësim, ose me mirëfilltësim me “cookies””. Klikoni butonin “Provoni Lidhjen me Tor-in”.

Nëse gjithçka shkon mbarë, do të duhej të shihnit “I lidhur me kontrollorin Tor”.